HISTORIKU--PROFILI I SHTËPISË SË SIGURTË GJAKOVË
Shtëpia e Sigurtë Gjakovë është strehimore për rastet e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore, konkretisht të nënave me fëmijët e tyre. Është ndër strehimoret e para në Kosovë, e cila ka filluar punën në vitin 2000 dhe është regjistruar më 07.03.2002. Shtëpia e Sigurtë ushtron veprimtarinë e saj në rrafshin e Dukagjinit përkatësisht në qytetet e Gjakovës, Malishevës dhe Rahovecit, pa përjashtuar edhe rastet nga mbarë Kosova dhe jashtë vendit.
Nga viti 2000 deri më sot strehimorja ka mbështetur mbi 1502 raste, shumica prej të cilave kanë realizuar të drejtat e tyre duke filluar nga e drejta e jetës pa dhunë deri tek fuqizimi i tyre. Aktualisht, Shtëpia e Sigurtë ka realizuar shumë projekte të fushës së parandalimit, mbështetjes direkte për rastet, riintegrimit, lobimit dhe avokimit. Është e tipit të hapur dhe ju ndihmon grave në fuqizimin dhe riintegrimin e tyre.
Shtëpia e Sigurtë është pjesë e rrjeteve dhe koalicioneve, brenda dhe jashtë vendit. Ajo gjithashtu është pjesë e “Mekanizmit Koordinues për Luftimin e Dhunës në Familje" në qytetin e Gjakovës, mekanizëm ky i institucionalizuar nga Kuvendi Komunal me pjesëmarrës, aktorë që përfshihen në luftimin e dhunës në familje në Gjakovë dhe rrethinë (Ministria e Shëndetësisë, Rrjeti për Fuqizimin Ekonomik të Gruas, Rrjeti “Qeliza” dhe “Rrjeti i Grave te Kosovës” etj.).
Shtëpia e Sigurtë në Gjakovë është licensuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) për ofrimin e shërbimeve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje për fëmijë dhe të rritur pasi ka staf profesional dhe të licensuar, pa përjashtuar infrastrukturën e domosdoshme dhe të arrirë për të ushtuar këtë veprimtari.
Puna në Shtëpinë e Sigurtë realizohet përmes ligjeve, rregulloreve, standardeve dhe doracakëve që rregullojne këtë fushë. Shtëpia e Sigurtë ka qenë pjesë e draftimit të Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe e standardeve minimale për operim, etj.
Shtëpia e Sigurtë bashkëpunon me mediat kombëtare dhe lokale për të sensibilizuar opinionin për pasojat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj gruas.
